Suksesi i një trajtimi kanalar varet nga përftimi i një kontrolli efikas bakterial intrakanalar; procedurat kimio-mekanike të dezinfektimit dhe formësimit të sistemit kanalar luajnë një rol përcaktues në këtë sens.
Në përgatitjen kimio-mekanike optimale duhet të pastrohet dhe dezinfektohet sistemi kanalar nga bakteret, mbetjet organike dhe inorganike dhe duhet krijuar një formë e përshtatshme për të lejuar mbushjen kanalare sa më plotësisht të jetë e mundur për të parandaluar një infektim tjetër bakterial.
Fatkeqësisht jo e gjithë sipërfaqja kanalare mund të arrihet nga dezinfektuesit dhe nga instrumentet mekanike. Studime të ndryshme në literaturë kanë zbuluar problematika dhe kanë dëshmuar pasojat e mundshme mbi suksesin e trajtimit në distancë.
Tipologjia e kërkimit dhe mënyrat e analizimit
Në një studim të publikuar në International Endodontic Journal, maj 2018 është hetuar gjendja e pareteve të kanaleve radikolare të dhëmbëve me pulpë vitale dhe nekrotike të mbetura të paprekura pas instrumentimit mekanik dhe irrigimit me hipoklorit natriumi NaOCl.
Për këtë studim autorët kanë përfituar nga tomografia mikro-e kompjuterizuar (mikro-CT) e cila ka zbuluar zonat e papërgatitura, të paarritura as nga instrumentet mekanike dhe as nga hipokloriti i natriumit dhe për këto zona janë kryer dhe analiza mikroskopike (SEM) dhe histologjike.
Sipërfaqet e identifikuara si të papërgatitura nga analizat mikro-CT janë ekzaminuar në mënyrë mikroskopike për të vlerësuar sasinë e pulpës organike, baktereve dhe mbeturinave dentare të mbetura.
Autorët e studimit kanë marrë në konsideratë kanalet radikolare të 10 premolarëve mandibularë të ekstraktuar me pulpë nekrotike dhe periodontit apikal dhe kanalet meziobukalë të 11 molarëve mandibularë me pulpë vitale.
Kampionet janë përgatitur duke përdorur respektivisht instrumente Reciproc R40 dhe R45 dhe si irrigues është përdorur hipokloriti i natriumit 2,5%. Kampionet janë skanuar të gjithë me mikro-CT para dhe pas përgatitjes dhe janë identifikuar zonat e mbetura të papërgatitura.
Sipërfaqja e rrënjës së jashtme korresponduese me zonat e mbetura të paprekura është shënuar sërish, për të drejtuar analizat histologjike dhe testin me SEM, për të analizuar pulpën, ngarkesën bakteriale dhe mbeturinat e mbetura.
Rezultate
Porcioni i zonave të mbetura të papërgatitura në kanalet molare maksilare ka rezultuar të jetë prej 18,1% në gjatësinë totale të kanalit dhe me 9,6% për sa i përket porcionit apikal. Te premolarët ka rezultuar të jetë prej 34,6% në gjatësinë totale të kanalit dhe prej 17,6% në zonën apikale.
Analiza histologjike e kanaleve me pulpë vitale ka zbuluar mbetje të indit pulpar pothuajse ekskluzivisht në porcionin apikal. Analiza me SEM e kanaleve nekrotike ka dëshmuar praninë e mbeturinave në paretet e mbetura të paprekura përgjatë të gjithë sipërfaqes kanalare.
Konkluzione
Nga rezultatet e këtij studimi in vitro është bërë e mundur që të konstatojmë se janë të ndryshme zonat e pareteve kanalare që mbeten të paprekura, të papërgatitura, pavarësisht instrumentimit me file mekanik rrotullues dhe lavazhe me NaOCl 2,55. Analiza me mikro-CT ka treguar se këto zona të paprekura janë në përgjithësi të mbuluara nga mbeturina nën formën e mbetjeve organike pulpare, baktereve dhe mbeturinave inorganike dentinale, të hasura sidomos në porcionin apikal.
Implikime klinike
Në bazë të të dhënave të këtij studimi duhet të inkurajohen strategjitë për të përmirësuar performancën e irrigimit dhe të formësimit në mënyrë që të garantojmë një efikasitet më të mirë.
Për më tepër:
• Siqueira JF Jr, Pérez AR, Marceliano-Alves MF, Provenzano JC, Silva SG, Pires FR, Vieira GCS, Rôças IN, Alves FRF. What happens to unprepared root canal walls: a correlative analysis using micro-computed tomography and histology/scanning electron microscopy. Int Endod J 2018 May;51(5):501-8.
Përktheu: Erjola Taga