Edhe pse po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt tendencës së zvogëlimit të edentulizmit, humbja e dhëmbëve për fat të keq është ende e shpeshtë dhe edentulizmi parcial është ende relativisht i zakonshëm ndërmjet popullsisë adulte.
Pasojat e humbjes së dhëmbëve përfshijnë:
• efikasitet mastikator të reduktuar;
• humbje e kockës kreshtale;
• estetika faciale e papërshtatshme;
• vetëvlerësimi i reduktuar;
• impakti pasues negativ në socializim.
Të shumta janë opsionet e trajtimit që janë në dispozicion për zëvendësimin e dhëmbëve që mungojnë, ndërmjet të cilave protezat e lëvizshme konvencionale (FDP) ose ato që mbështeten në implante, kurorat teke ose protezat fikse tradicionale me më shumë elemente.
Opsionet e ndryshme të trajtimit parashikojnë procedura të ndryshme (kirurgjikale ose jo), kohë të ndryshme, kosto dhe rezultate të ndryshme që kërkojnë një ose disa seanca të testimit dhe përshtatjes.
Këto diferenca mund të kenë një impakt të thellë mbi pritshmëritë dhe kënaqjen e pacientëve në lidhje me trajtimet protetike dhe rezultatet e tyre.
Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një studim të publikuar në Journal of Prosthodontics në Mars 2019, autorët kanë hetuar lidhjen ndërmjet gjinisë, moshës, perceptimit të pacientëve rreth shpjegimeve të dhëna nga stomatologu i tyre, numri i seancave, lloji i trajtimit protetik që kanë marrë dhe pritshmëritë e pacientit përpara se të fillonin trajtimin protetik dhe kënaqësinë e tij në fund të trajtimit.
Autorët kanë grumbulluar të dhënat nga katër studime që kanë matur pritshmëritë e pacientit përpara trajtimit dhe kënaqësinë pas tij nëpërmjet shkallës analogjike VAS me pikë nga 0 deri në 10. Këto pikë janë shprehur nga pacientët për secilin nga aspektet vijuese: mastikacioni, estetika, fonetika dhe komforti.
Perceptimet që lidhen me sjelljen dhe shpjegimet e avancuara nga stomatologu rreth trajtimit protetik janë vlerësuar nga pacienti nëpërmjet një pyetësori në shkallën Likert. Dimensioni total i kampionit rezulton 223 individë.
Janë kryer analiza bivariate dhe multivariate.
Rezultate
Nga kampioni i analizuar 115 pacientë (51,57%) ishin femra dhe 108 (48,43%) meshkuj me moshë nga 28 deri në 81 vjeç. Asnjë diferencë e konsiderueshme nuk është gjendur ndërmjet pritshmërisë dhe kënaqësisë në lidhje me gjininë.
Kënaqësia më e madhe është regjistruar në trajtimet implantare. Pikët e kënaqësisë rreth mastikacionit janë lidhur me numrin e seancave të testimeve dhe ato rreth komfortit janë lidhur me aftësinë e stomatologut për të shpjeguar trajtimin e parashikuar përpara kryerjes së tij.
Konkluzione
Në bazë të të dhënave të marra nga ky studim, që duhet të konfirmohen me punime të tjera analoge, mund të dalim në përfundimin se kënaqësia e pacientit lidhet me llojin e trajtimit (ata implantarë rezultojnë me kënaqësi më të madhe) dhe se sa më e madhe të jetë pritshmëria aq më e madhe ishte dhe kënaqësia konsekutive.
Përcaktues në kënaqësinë rezultante të pacientit është edhe aftësia e stomatologut për të shpjeguar sa më mirë trajtimin që do të ndiqet.
Për më tepër:
Colvin J, Dawson DV, Gu H, Marchini L. Patient expectation and satisfaction with different prosthetic treatment modalities. J Prosthodont 2019 Mar;28(3):264-70.
Përktheu: Valbona Spahia