Sëmundja infektive e quajtur COVID-19 nga OBSH-ja në shkurt 2020, është përcaktuar nga një virus që bën pjesë në një familje të përbërë nga katër lloje virale (beta, gama, alfa dhe delta-koronavirus) dhe mund të infektojë zona të ndryshme të trupit të njeriut si sistemi respirator, sistemi nervor qendror, sistemi hepatik dhe ai gastrointestinal. Sipas raportit të OBSH-së në nivel global janë 2,557,994 raste të konfirmuara dhe numri vijon të rritet çdo orë.
Transmetimi i COVID-19 bëhet nga personi në person nëpërmjet transmetimit direkt me anë të tështimave, kollitjes ose inhalimit të spërklave apo me anë të kontaktit me mukozat e syve, hundës apo pështymën. Për arsye të ndryshme procedurat dentare janë kthyer në burim shqetësimi sepse një pjesë e trajtimeve stomatologjike çojnë në gjenerimin e aerosolit dhe nebulizimeve që mund të jenë kontagioze për profesionistët dhe pacientët kurdo që nuk merren masa të sakta dhe të sigurta.
Në një studim të Bentley në 1994 autorët kanë hetuar përhapjen dhe shpërndarjen e aerosolit dhe spërklave salivare të kontaminuara te profesionistët dentarë gjatë kryerjes së procedurave stomatologjike. Faza e parë e studimit parashikonte shtimin e një ngjyruesi fluoreshent në ujin e frezëmbajtësit. Ndërsa hapi i dytë, parashikonte mbledhjen e pllakëzave të kulturave në agar/gjak të shpërndara në sallë. Rezultatet kanë treguar se kontaminimi nga spërklat dhe përhapja e aerosolit mbeten një risk për profesionistët e stomatologjisë dhe influencohen nga shumë faktorë. Këto faktorë përfshijnë llojin e procedurës, pozicionin e dhëmbit në gojë, pozicionin e pacientit në poltron dhe nivelet e mikroorganizmave të pranishëm në gojën e pacientit.
Numri më i lartë mikrobial është ndeshur në maskë, në pjesën e poshtme të qafës dhe në gjoksin e profesionistit. Sprucime dhe kontaminim më i ulët nga aerosoli është ndeshur në disqet e letrës të aplikuara tek asistentja.
Por e dhëna më shqetësuese e studimit ka qenë ajo e gjetjes së pranisë së kontaminimit me ngjyrues në syzet e personelit stomatologjik, pavarësisht përdorimit të mbrojtëses së fytyrës dhe në sipërfaqen e brendshme të maskës me një shtresë të profesionistëve përveçse në hundën e profesionistit dhe asistentes.
Kontaminimi nga aerosoli është vërtetë i vështirë që të shmanget në procedurat stomatologjike. Arma e vetme për ta reduktuar, përveç kryerjes së një shpëlarjeje pre-operative nga pacienti me një antiseptik dhe vendosjes së digës së gomës kur është e mundur është edhe identifikimi me siguri i pacientit që mund të jetë prekur nga COVID-19 edhe pse mund të jetë në dukje asimptomatik.
Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Më 12 shkurt 2020 është sinjalizuar një kthesë përsa i përket saktësisë së përshtymës së njeriut në diagnostikimin e pacientëve të prekur nga koronavirusi. Në një studim të fundit të Khurshid, të publikuar nga Int J Environ Res Public Health në mars 2020, të kryer në një spital të Hong Kongut, është kryer marrja e një kampioni të pështymës në 11 pacientë të shëruar nga COVID-19. Kampioni i pështymës është marrë duke i kërkuar pacientit të kollitet në një kontenitor steril, e më pas është dërguar në laborator për analiza të mëtejshme.
Rezultate
Ky studim ka treguar avantazhin e komoditetit të kampionimit të pështymës në një situatë epidemie si kjo nga COVID-2019. Duke përdorur pështymën si testin për të identifikuar pacientët e prekur nga virusi, profesionistët e shëndetësisë, mjekët, infermierët dhe personeli paramjekësor do të sigurohen nga transmetimi i kësaj sëmundjeje. Kjo metodë e kampionimit është më avantazhuese dhe e thjeshtë në krahasim me aspirimet rinofarigealë dhe tamponët rinofaringealë.
Ka pasur shumë pajisje për grumbullimin e pështymës në tregun ku mund të kenë akses të gjithë kërkuesit, profesionistët shëndetësorë, mjekët, mikrobiologët dhe virologët për trajtimin e kampioneve.
Konkluzione
Nga të dhënat e këtij studimi mund të dalim në përfundimin se kampionimi i pështymës është një mënyrë komode, e lehtë, ekonomike dhe joinvazive, që kërkon pajisje minimale, që mund të lejojë stomatologun të identifikojë pacientët e prekur nga COVID-19 përpara se të kryhen trajtimet dentare. Kjo metodikë mund të reduktojë në minimum transmetimin nozokomial të 2019-nCoV te profesionistët shëndetësorë.
Implikacionet shëndetësore
Në këtë situatë të pandimisë të gjitha kërkimet, qendrat dhe agjencitë shëndetësore të profesionistëve shëndetësorë duhet të eksplorojnë mundësitë diagnostikuese dhe të zhvillojnë me shpejtësi analizat automatike. Ky artikull do të ndihmojë epidemiologët, virologët dhe klinikët që të kuptojnë rëndësinë e pështymës në testet diagnostikuese për të reduktuar transmetimin e sëmundjes nga COVID-19.
Për më tepër:
-To KK-W, Tsang OT-Y, Chik-Yan Yip C, Chan K-H, Wu T-C, Chan JMC, Leung W-S, Chik TS-H, Choi CY-C, Kandamby DH et al. Consistent detection of 2019 novel coronavirus in saliva. Clin Infect Dis 2020, 4-6.
-Khurshid Z, Asiri FYI, Al Wadaani H. Human saliva: non-invasive fluid for detecting novel coronavirus (2019-nCoV). Int J Environ Res Public Health 2020 Mar 26;17(7).
-Bentley CD, Burkhart NW, Crawford JJ. Evaluating spatter and aerosol contamination during dental procedures. J Am Dent Assoc 1994 May;125(5):579-84.
Përktheu: Valbona Spahia