Heqja kirurgjikale e molarëve të tretë inferiorë të impaktuar ose të gjysmë-impaktuar është një procedurë rutinë invazive, e kryer nga kirurgë oralë dhe maksilo-facialë, që përfshin qoftë indet e buta qoftë indin kockor, duke gjeneruar një përgjigje inflamatore me edemë të mundshme dhe dhimbje.
Këto komplikacione zakonisht theksohen ditën e dytë dhe të tretë pas ekstraksionit, duke u zhdukur pothuajse plotësisht nga dita e pestë deri në ditën e shtatë.
Trajtimi konvencional i rekomanduar për menaxhimin e dhimbjes dhe edemës është administrimi i barnave anti-inflamatore steroidale, përveç analgjezikëve, por që nuk janë pa efekte anësore.
Edhe gjakrrjedhja intra-operative është shpesh një komplikacion që duhet menaxhuar gjatë ekstraksioneve, sidomos duke marrë në konsideratë që me një gjakrrejdhje më të vogël shikueshmëria e fushës kirurgjikale mund të ruhet më mirë, duke favorizuar kirurgun dhe duke ruajtur mirëqenien e pacientit.
Kontrolli i gjakrrjedhjes tradicionale mund të arrihet duke përdorur solucione anestetike me vazokonstriktorë, hemostatikë lokalë, sfungjer fibrine dhe acid traneksamik. Megjithatë ekzistojnë terapi integrative, si akupunktura, që mund të jenë trajtime shtesë për të minimizuar këto komplikacione.
Terapia me akupunkturë duket se ndihmon në ruajtjen e imunitetit dhe rikthimin e hemostazës, promovon relaksimin muskular, duke favorizuar ruajtjen e gjendjes shëndetësore.
Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një studim klinik të kryqëzuar të randomizuar, të publikuar në Journal of Acupunct and Meridian Studies në mars 2020, autorët kanë vlerësuar efikasitetin e rregullimit energjitik me akupunkturë në ndërhyrjet kirurgjikale të ekstraksioneve të molarëve të tretë inferiorë të impaktuar.
Studimi ka përfshirë 22 pacientë me dy molarë të impaktuar, në pozicion simetrik, të ndarë në dy grupe: Grupi i testimit (TG), ku është kryer akupuntura me rregullim real energjitik në mbështetje të trajtimit ekstraktiv dhe Sham Group (SG) ku është kryer akupunktura pa funksion të rregullimit energjitik gjatë trajtimit ekstraktiv.. Janë matur fluksi i energjisë (metoda Ryodoraku) dhe rregullimi energjitik që është kryer përpara ekstraksionit. Frekuenca kardiake (HR) dhe presioni i gjakut (BP) janë vlerësuar përpara dhe pas rregullimit energjitik dhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, edema e mbetur është matur nëpërmjet matjeve faciale - këndi i mandibulës në lidhje me tragus (AT), këndi i mandibulës në lidhje me cepin e buzëve (A LC), këndi i mandibulës në lidhje me krahun nazal (A-WN), këndi i mandibulës në lidhje me këndin e syrit (A-CE), këndi i mandibulës në lidhje me mjekrën (AC) - dhe hapja e gojës me distancë inter-incizale, përpara dhe pas shtatë ditësh nga ndërhyrja kirurgjikale. Për të kuantifikuar gjakrrjedhjen intra-operative gjaku është aspiruar bashkë me solucionin salin duke përdorur një përshtatës për pompën me vakum. Sasia e solucionit salin të përdorur është zbritur pra nga sasia përfundimtare e likidit të aspiruar.
Rezultate
Mesatarja e gjakrrjedhjes ka rezultuar inferiore në grupin TG (p = 0,0392). Ka pasur diferenca të rëndësishme ndërmjet grupeve në distancat e fytyrës: A-LC (p = 0,010), A-WN (p = 0,030) e A-C (p = 0,008).
Konkluzione
Nga të dhënat e nxjerra nga ky studim klinik, që duhet të konfirmohen me punime të tjera analoge, mund të dalim në përfundimin se akupunktura me rregullimin energjitik është efikase në reduktimin e edemës së mbetur post-operative dhe gjakrrjedhjes intra-operative.
Implikime klinike
Akupunktura mund të merret në konsideratë si një alternativë ose si një trajtim koadjuvant i metodikave tradicionale farmakologjike në kirurgjinë ekstraktive të molarëve të tretë inferiorë të impaktuar sepse është në gjendje që të reduktojë komplikacionet më të shpeshta kirurgjikale, si edema post-operative dhe gjakrrjedhja intra-operative.
Për më tepër:
Gil MLB, França Marinho LMR, Moraes M, Seichi Wada R, Carlos Groppo F, Sato JE, Rosário de Sousa MDL. Effectiveness of acupuncture in dental surgery, a randomized clinical trial crossover study. J Acupunct Meridian Stud 2020 Mar 20.
Përktheu: Valbona Spahia