Covid-19: risku i infeksionit në klinikë pothuajse zero nëse përdoren masat e duhura për mbrojtjen personale

Higjiena dhe Parandalimi | 6 Gusht 2020 |

Covid-19: risku i infeksionit në klinikë pothuajse zero nëse përdoren masat e duhura për mbrojtjen personale

Një studim i publikuar në Journal of Dentistry ka vlerësuar risqet e profesionistëve për infektimin nga një pacient asimptomatik nëse përdoren pajisjet e duhura për mbrojtjen personale

Nga Lara Figini


Ofrimi i kurave stomatologjike gjatë epidemive të sëmundjeve infektive sjell risqe intrinsike për profesionistët shëndetësorë dentarë për shkak të spërklave dhe aerosolit të gjeneruar gjatë trajtimeve.
Epidemia e HIV/AIDS në vitet '80 ka shkaktuar shumë ankth për përdorimin e klinikave dentare për shkak të frikës për përhapjen e një sëmundjeje infektive që transmetohej me anë të gjakut dhe ka përshpejtuar përshtatjen e masave universale që theksojnë sterilizimin eficient, higjienën e duarve dhe përdorimin e pajisjeve për mbrojtjen personale gjatë trajtimeve stomatologjike.
Pajisjet bazë për mbrojtjen personale përfshijnë: maskat, dorezat, përparësen, kapuçin, syzet mbrojtëse dhe mbrojtësen e fytyrës. Në ditët e sotme, nuk ka raste të konfirmuara të transmetimit të COVID-19 ose vdekshmëri që lidhen me kurat stomatologjike ndërmjet stomatologëve dhe pacientëve të tyre, ndërkohë që shumë mjekë dhe infermierë janë infektuar nga pandemia në të gjithë botën.
Megjithatë, është e pamohueshme prania e risqeve të mundshme për transmetimin e sëmundjes në klinikat dentare gjatë emergjencës nga COVID-19.

Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një studim/rishikim, të publikuar në Journal of Dentistry në korrik 2020, autorët kanë kërkuar studimet e disponueshme në literaturë dhe kanë vlerësuar risqet e analizuara për një profesionist shëndeti (stomatologun dhe asistentin e tij) që të infektohet nga një pacient asimptomatik në klinikën dentare, duke u bërë si pasojë simptomatik dhe në raste ekstreme duke humbur jetën nga infektimi me COVID-19.
Autorët kanë hetuar:
- prevalencën e pacientëve asimptomatikë në popullsinë lokale;
- probabilitetin se një profesionist infektohet nga një pacient asimptomatik;
- efikasitetin e pajisjeve për mbrojtjen personale;
- probabilitetin që të kthehen në persona simptomatikë pasi janë infektuar nga pacientët asimptomatikë;
- probabilitetin për të humbur jetën nga sëmundja;
- numri i pacientëve që vizitohet në një ditë pune;
- numri i ditëve të punës gjatë vitit.

Për të kuptuar impaktin e mundshëm të COVID-19 në fushën stomatologjike dhe në shëndetin oral, si edhe për të vlerësuar risqet për profesionistët që ofrojnë shërbimet e tyre te pacientët, autorët kanë kërkuar në mënyrë periodike dhe kanë analizuar të gjitha publikimet e pranishme në literaturë mbi këtë argument nëpërmjet portaleve PubMed dhe Google Scholar duke përdorur kombinime të ndryshme të fjalëve kyçe.

Rezultate
Kur stomatologët dhe asistentët e tyre përdorin pajisjet e duhura të mbrojtjes personale gjatë gjithë kohës që qëndrojnë në punë, duke përdorur maskat N95, probabiliteti vjetor që një profesionist të infektohet nga COVID-19 në një klinikë dentare, të kthehet në një pacient simptomatik apo të humbasë jetën për shkak të infeksionit është vlerësuar me 1:13.000 (0,008%).

Konkluzione
Nga të dhënat e këtij studimi/rishikimi, që duhen konfirmuar me punime të tjera analoge, mund të dalim në përfundimin se risku i transmetimit të COVID-19 në klinikën dentare është shumë i ulët falë efikasitetit të pajisjeve mbrojtëse dhe në bazë të prevalencës së pacientëve asimptomatikë.
Përdorimi i mbrojtëseve të fytyrës nga ana e profesionistëve shëndetësorë dhe kërkesa që pacienti të shpëlajë gojën përpara se të fillojmë me procedurën mund të reduktojnë më tej risqet.

Implikime klinike
Për të reduktuar në minimum infektimin nga COVID-19 në klinikat dentare, profesionistët shëndetësorë duhet të ndjekin udhëzimet e protokolleve pre-takim dhe të përdoren gjithmonë dhe në mënyrën e duhur pajisjet për mbrojtjen personale gjatë trajtimeve dentare.

Për më shumë informacione:
Ren Y, Feng C, Rasubala L, Malmstrom H, Eliav E. Risk for dental healthcare professionals during the Covid-19 global pandemic: an evidence-based assessment. J Dent 2020 Jul 18;103434.

Përktheu: Valbona Spahia



Për të votuar duhet të vendosni kredencialet tuaja në Medikey
Nuk është interesantPak interesantInteresantShumë interesantEkstremisht interesant
Interesant ( 48 votim / mesatar 3 )
LOGIN


© LIFE SHPK   |   NIPT L41629010D