Dy rrugët kryesore që njihen për transmetimin e SARS-CoV-2 te njerëzit janë rruga respiratore me anë të transmetimit direkt të sekrecioneve respiratore (spërklat respiratore) ndërmjet njerëzve dhe rruga e kontaktit me mukozën (sytë, hunda ose goja) nëpërmjet duarve.
Spërklat respiratore që përmbajnë virusin janë gjeneruar nga kollitja, tështimat ose nga e folura e një personi të sëmurë. Nga ana tjetër, dihet që SARS-CoV-2 mund të transmetohet nëpërmjet një konglomerati spërklash me përmasa të ndryshme që shoqërohen nga fluide dhe substanca të tjera, të njohura si bioaerosole. Megjithëse nuk është konfirmuar që ato janë një formë e transmetimit të virusit nëpërmjet ajrit, kjo rrugë konsiderohet si një mekanizëm transmetimi potencialisht i rrezikshëm, veçanërisht në fushën e stomatologjisë, me procedurat e shpeshta që prodhojnë aerosole. Prandaj nevojiten masa specifike për parandalimin e përhapjes së virusit në klinikën dentare.
Për parandalimin e infeksionit të kryqëzuar në klinikë duhen disa zgjidhje të ndryshme, duke përfshirë përdorimin e rrezeve ultravjollcë, filtrave dhe modifikimin e sistemeve të ajrit të kondicionuar, pastruesve të ajrit dhe përdorimin e ozonit. Në këtë artikull ne do të përpiqemi që të sqarojmë dyshimet kryesore që kanë lindur në këtë sektor. ASHRAE (American Society Of Heating, Refrigerating and AC Engineers), shoqata më e rëndësishme për sektorin e ajrit të kondicionuar dhe shoqata të tjera të ngjashme promovojnë veprimet e kontrollit pandemik në politikat e tyre, duke vendosur burimet teknike që nevojiten për të adresuar sfidat pandemike, në lidhje me efektet e ajrit të kondicinuar te transmetimi i sëmundjes. Këto strategji do të jenë pjesë e një grupi masash për të parandaluar përhapjen e virusit, bashkë me përdorimin e pajisjeve të tjera për mbrojtjen personale gjatë punës ku ekziston ekspozimi i mundshëm ndaj tij, siç ndodh në fushën dentare. Në varësi të llojit të klinikës, do të ketë më pak apo më shumë masa të mundshme.
Dy parametrat që do të përkufizojnë kryesisht sesi do të përshtaten konsultimet dentare janë:
- Tipi i ventilimit: natyral, mekanik apo hibrid;
- Tipi i instalimit të ajrit të kondicionuar (A/C).
Cili lloj ventilimi është më i përshtatshëm në klinikat tona?
Parimi bazë është që të shtohet ventilimi i klinikave tona, duke i dhënë prioritet ventilimit natyral. Për një ekspert është e rëndësishme që të vlerësojë karakteristikat individuale të secilës klinikë për të përcaktuar nëse ka ventilimin e duhur. Ventilimi natyral është i përshtatshëm kur kemi hapësira që lejojnë qarkullimin e ajrit dhe ka dritare që mund të qëndrojnë hapur. Në këtë rast, duhet të bëhet ventilimi pas çdo trajtimi duke mbajtur derën e sallës operative mbyllur për të parandaluar përhapjen e kontaminantëve në dhomat e tjera. Nëse nuk janë prodhuar aerosolë, koha e kërkuar për ventilimin do të jetë rreth 15 minuta, në varësi të karakteristikave teknike të sallës operative dhe të klimës së jashtme. Ventilimi do të kryhet sapo të largohet pacienti nga dhoma. Nga ana tjetër nëse kemi kryer një procedurë që ka prodhuar aerosolë, koha e ventilimit është të paktën 1 orë sipas shumë autorëve dhe rekomandohet gjithashtu rrezatimi me dritë utravjollcë (UV) të spektrit C në sallën operative përpara ventilimit dhe sapo pacienti dhe mjeku të kenë dalë nga dhoma. Disa sisteme profesionale të llambave UVC mund të rekomandohen, siç janë edhe ato që ofrohen nga College of Dentists and Stomatologists of Catalonia (COEC). Gamat e fuqisë janë pothuajse 180 W dhe shërbejnë për të sterilizuar ajrin në sipërfaqe pothuajse 8 metra katrorë në zonën e aerolizuar, përafërsisht për 6 minuta. Nëse ka hapësirë më të madhe kërkesat për kohën apo fuqinë do të rriten. Idealja do të ishte që pajisjet të jenë pranë burimit të prodhimit të aerosolit, që nuk është i drejtuar. Si pasojë, do të jetë e nevojshme që të pastrohen dhe të dezinfektohen sipërfaqet.
Në hapësirat e mbyllura ose tek ato me ventilim natyral të papërshtatshëm, nëse nuk ka lloje të tjera ventilimi, prania e purifikuesve të ajrit mund të jetë e nevojshme. Karakteristika kryesore që mund të kenë është një set i përshtatshëm i filtrave HEPA H14 ose ULPA 15. Karakteristika të tjera të rekomanduara janë prania e dritës UVC, energjia katalitike ose lëshimi i ozonit të ngecur në purifikues dhe që ka një fluks ajri të përshtatshëm në vëllim dhe të orientuar drejt zonës që do të purifikohet. Për më tepër, ata kërkojnë mirëmbajtje konstante me ndryshime periodike të filtrave dhe kanë një kosto të lartë ekonomike, prandaj përdorimi i tyre mund të jetë i diskutueshëm.
Nga ana tjetër, kur ventilimi natyral nuk është i përshtatshëm, zakonisht instalohet ventilimi mekanik dhe ventilimi hibrid. Ventilimi hibrid vepron njësoj si ai natyral nën kushtet e temperaturës dhe presionit të favorshëm si edhe si ventilim mekanik kur këto kushte nuk ekzistojnë. Ventilimi mekanik punon edhe për insuflacionin e ajrit edhe për nxjerrjen e tij. Është shumë e rëndësishme që hyrja dhe dalja e ajrit të ndahen me të paktën 2 metra për të shmangur kontaminimin e ajrit të pastër. Nëse ne kemi këto dalje është e këshillueshme që të instalohen filtra me efikasitet të lartë. Për shembull, një filtër e hollë e klasit F9 është në gjendje që të mbajë 70% dhe 80% të pjesëzave 0.1 micron; por sidoqoftë një filtër e klasit F7 do të jetë në gjendje të mbajë vetëm 50-60%. Si një komplement opsional ndaj këtyre, është e mundur ndonjëherë që të vendoset një filtër HEPA për filtrimin përfundimtar në instalimet kritike. Një sistem filtrash për dezinfektimin mund të ulë më tej kostot.
Idealja do të ishte, nëse ventilimi mekanik apo ai hibrid është i disponueshëm, që të shmanget riqarkullimi i ajrit, duke u munduar që të nxirret i gjithë ajri i ndenjur pa e inkorporuar atë sërish në sistem. Në rastin ku ventilimi është mekanik me fluks të dyfishtë, ku flukset e hyrjes dhe daljes kalojnë nga i njëjti qark, nuk mund të realizohet anulimi i këtij riqarkullimi nëse duam të mbajmë në punë ventilimin. Në ventilimin mekanik me fluks të dyfishtë ka një fluks të ajrit të pastër që vjen nga jashtë ndertesës në brendësi të saj dhe një tjetër fluks me ajrin e ndjenjur që nxirret me anë të valvulave mekanike dhe freskueseve. Ky sistem në dukje i papërshkueshëm nga uji mund të vuajë nga kontaminimi te këmbyesit e nxehtësisë, që janë pajisje që ndihmojnë në ruajtjen e energjisë termale si në dimër ashtu edhe në verë. Ndonjëherë, te këto këmbyes mungesa e ajrit të ndjenjur mund të bëjë që të përzihet me ajrin e pastër duke e kontaminuar atë, prandaj ne rekomandojmë që të kontrollohet në mënyrë periodike për të parë nëse kemi pasur të bëjmë me një mungesë të tillë. Nëse keni këmbyes entalpik, ato duhet të fiken sepse për shkak të dezajnit të tyre është shumë i mundur kontaminimi i ajrit që futet.
A mund të përdorim ajrin e kondicionuar në klinikat dentare?
HVAC, në anglisht ekuivalentja e termit Heating, Ventilating And Air Conditioning (HVAC), konsiston në krijimin e temperaturës, lagështisë dhe pastërtisë së ajrit të përshtatshme për komfortin dhe mirëmbajtjen e cilësisë së ajrit të brendshëm njësoj si ai jashtë. Kjo përfshin tre faktorë kryesorë: ventilimin, ngrohjen në dimër ose ajrin e kondicionuar dhe ftohjen në verë ose ajrin e kondicionuar. Në lidhje me këtë dhe veçanërisht me ftohjen, duhet të flasim për sistemet e ajrit të kondicionuar (A/C), duke qenë se ky është një koncept që reflekton në të vërtetë ajrin e kondicionuar gjatë gjithë vitit.
Sipas ASHRAE, ngrohja e ndërtesave, ventilimi ose sistemet A/C (ftohja në verë apo ajri i kondicionuar) nuk duhet të ndalohet si një masë për parandalimin e përhapjes së SARS-CoV-2, për shkak të problemeve të tjera shëndetësore.
Përdorimi i A/C nuk përjashon vazhdimësinë për të ofruar sa më shumë ajër të freskët që të jetë e mundur nga jashtë, duke hapur dritaret edhe nëse kemi disa shqetësime termale. Në sistemet A/C të qendërzuara nëpërmjet kanaleve, riqarkullimi duhet të anulohet për të shmangur përhapjen e pjesëzave kontagioze në dhomat e tjera dhe është e përshtatshme që të vlerësohet vendosja e aksesorit të tipit të filtrave HEPA në sistemet e ventilimit.
Në A/C me shumë ndarje ose me ndarje individuale, ajri mund të përdoret në mënyrë perfekte pa nevojën e anulimit të riqarkullimit sepse lëvizja e tij është e limituar në dhomë kur janë të vendosura pajisje.
Nuk duhet të harrojmë as një shtyllë shumë të rëndësishme siç është mirëmbajtja e vetë sistemit, që duhet të kryhet në mënyrë periodike nga një profesionist ekspert. Nëse riqarkullimi i ajrit është anashkaluar dhe ajri i pastër është përdorur vetëm për ventilim, nuk duhet të krijohet një protokoll më i gjerë në kanalet e pastrimit dhe procedurat e mirëmbajtjes. Në lidhje me filrat e ajrit jashtë që janë të pranishme në sistemet moderne, nuk është e nevojshme që ato të zëvendësohen shpesh, por vetëm kur kalohen limitet e presionit ose kohës, gjithmonë në përputhje me mirëmbajtjen e caktuar.
A është i këshillueshëm përdorimi i ozonit si një dezinfektant ambiental në klinikë?
Ne mendojmë se duhet të shmangen metodat e dezinfektimit duke qenë se ka njerëz në këto ambiente, pasi potenciali toksik nëse përdoret në sasitë e nevojshme mund të jetë vrastar. Prandaj European Chemical Agency nuk e pranon atë si një biocid dhe përdorimi i tij nuk duhet të rekomandohet. Avantazhet e ozonit për ata që e mbrojnë janë që brenda një kohe të shkurtër ai arrin nivele të rëndësishme që janë të nevojshme për të inaktivizuar virusin dhe mund të dezinfektojë zonat me hije, por duhen rreth 30 minuta që ai të shpërndahet. Nëse ende dëshironi që ta përdorni atë atëherë bëjeni në fund të ditës, me një kohëmatës dhe kurrë kur keni njerëz në ambientet e klinikës.
Artikulli origjinal nga Maxillaris: https://www.maxillaris.com/maximas-20200529-Desinfeccion-ambiental-sistemas-de-climatizacion-y-su-relacion-con-el-brote-de-COVID-19.aspx
Përktheu: Valbona Spahia