Pacienti i moshuar në fushën stomatologjike zakonisht konsiderohet si një individ i brishtë, drejt të cilit mjeku duhet të drejtohet me një vemendje të veçantë.
Kjo brishtësi lidhet me faktorë të ndryshëm:
- vështirësi më e madhe e individit të moshuar për të mbërritur në strukturat dentare;
- vështirësi më e madhe për t'ju nënshtruar trajtimeve të gjata dhe më të shtrenjta nga pikëpamja ekonomike;
- gjendje shëndetësore shpesh jo e mirë ose komplekse me komorbitete të shumta dhe polifarmakologji, sepse të moshuarit shpesh marrin shumë barna për patologji të ndryshme sistemike;
- kontroll higjienik të dobët për të mos thënë inekzistent, në shtëpi për shkak të pafuqisë për të larë dhëmbët, mungesës së edukimit apo mungesës së zakonit.
Në një artikull ende të papërfunduar, që është publikuar paraprakisht në JADA në gusht 2020, autorët kanë theksuar sesi aktualisht, përveç alternativave të renditura më lart, të moshuarit duhet të përballojnë edhe një sërë barrierash të reja që lidhen me shfaqjen e sëmundjes COVID-19, të karakterizuar nga sindroma respiratore akute e rëndë nga coronavirus 2 (SARS-CoV-2). Mosha e avancuar dhe komorbitetet janë identifikuar më parë si faktorë risku për nevojat më të mëdha të infeksionit nga COVID-19 dhe norma e vdekshmërisë tek individët me moshë 80 vjeç apo më të madhe arrin 22%.
Për më tepër, barnat e përdorura zakonisht nga të moshuarit si enzima e konvertimit të angiotensinës (ACE) inibitorët dhe bllokuesit e receptorit të angiotensinës II kanë treguar se kanë rregulluar receptorin ACE-2, që përdoret edhe nga virusi patogjen COVID-19 për të pushtuar qelizat humane dhe për të shkaktuar sindromën e rëndë akute.
Si pasojë, pacientët në terapi kronike me këto barna janë më së shumti në risk për t'u sëmurur në formë të rëndë me COVID-19.
Gjithashtu është theksuar se një pjesë e mirë e pacientëve të moshuar me shëndet jo të mirë jetojnë në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit dhe gjatë pandemisë kanë mbetur të izoluar, duke mos mundur të dalin as për të takuar të afërmit dhe/apo miqtë.
Përveç kësaj gjatë pandemisë në RSA kishte rregullore ku kurat stomatologjike ishin cilësuar si jo thelbësore, ndaj trajtimi stomatologjik i zgjedhur ka qenë ndëmjet aktiviteteve që janë shtyrë më së shumti nga këto komunitete që kujdesen për të moshuarit dhe në shtëpitë e të moshuarve kurat stomatologjike janë përqendruar vetëm te trajtimet urgjente, duke bërë që shëndeti oral i këtyre personave të përkeqësohet. Por të moshuarit me komorbitete e dinë që janë në risk më të madh për të marrë një infeksion nga COVID-19 në formë më të rëndë dhe si pasojë në këtë periudhë kanë frikë që t'i nënshtrohen trajtimeve stomatologjike të rregullta në klinikat private apo në qendrat shëndetësore.
Nga ana tjetër stomatologët janë të shqetësuar se nuk do munden të garantojnë sigurinë e duhur për pacientët e tyre adultë që janë në moshë më të madhe dhe kanë komorbitete prandaj ngurrojnë që t'i trajtojnë gjatë kësaj periudhe.
Si mund ta menaxhojnë stomatologët këtë situatë?
Dentistët që kujdesen për të moshuarit duhet të punojnë në bashkëpunim me ekipin e asistencës së shëndetit të përgjithshëm të pacientit për të vlerësuar dhe zbutur riskun e infektimit në grupet më vulnerabël. Pacientët me komorbitete multiple kërkojnë një konsultim mjekësor për stabilitetin e shëndetit të tyre sistemik. Duke përdorur informacionet e ofruara nga mjekët që kurojnë pacientin, stomatologu mund të zhvillojë një plan racional të kurave stomatologjike që duhen kryer duke përdorur pajisje për mbrojtjen personale të përshtatshme për t'i trajtuar në mënyrë të sigurt.
Teledentistry mund të jetë, për shembull, një instrument i rëndësishëm për të vlerësuar disa pacientë në risk të lartë që nuk janë në gjendje të shkojnë në klinikë për shkak të patologjive, izolimit ose karantinës. Teledentistry është shumë e dobishme për follow up-in e pacientëve që kanë kryer një procedurë së fundmi në klinikë ose për të vlerësuar një pacient me dhimbje dentare në fazën akute. Nëpërmjet Teledentistry stomatologu mund të rekuperojë informacione mbi problematikën dentare/orale të pacientit të moshuar, mund të përshkruajë barna kundër dhimbjes/anti-inflamatorë dhe antibiotikë në rast nevoje deri kur pacienti të jetë në gjendje që të shkojë në klinikën dentare për trajtimet definitive; apo të vendosë që ta spostojë në një mjedis spitalor me shërbim stomatologjik.
Ditën kur është vendosur që të procedohet me trajtimet stomatologjike është mirë që të instruktohen pacientët e moshuar dhe shoqëruesit e tyre rreth strategjive që do përdoren në klinikë për të reduktuar në minimum riskun e infektimit nga COVID-19 gjatë kurave stomatologjike. Strategjitë përfshijnë një vlerësim të përshtatshëm të simptomave COVID-19, matjen e temperaturës, distancimin social dhe përdorimin e pajisjeve të përshtatshme për mbrojtjen personale.
Për më tepër, risqet e infektimit mund të minimizohen duke reduktuar procedurat e gjenerimit të aerosolit, duke përdorur fluorur diamine argjendi (SF) ose teknika të tjera të restaurimit atraumatik (ART) për të menaxhuar kariesin duke kryer manualisht trajtimet e higjienës orale.
Për më tepër:
Marchini L, Ettinger R. COVID-19 and dental care for older adults: new barriers require unique solutions. J Am Dent Assoc 2020 Aug 14: doi: 10.1016/j.adaj.2020.08.004.
Përktheu: Valbona Spahia