Kolutorët terapeutikë përmbajnë principe aktive që ndihmojnë në kontrollimin e halitozës, pllakës dentare dhe gengivitit. Disa nga ingredientët terapeutikë më të zakonshëm që përmbajnë kolutorët janë vajrat esencialë (EO), klorur cetilpiridin (CPC) dhe klorheksidinë (CHX).
Megjithatë, kolutorët me bazë alkoli duhen përdorur me kujdes sepse mund të shkaktojnë dhimbje ose djegie duke ndryshuar për një kohë të gjatë mukozën lidhëse orale. Për një përdorim afatgjatë dhe rutinë janë propozuar agjentë organikë si alternativë e kolutorëve tradicionalë.
Për shembull, katekinat që merren nga gjethet e bimës Camellia sinensis, kanë treguar se janë të dobishme në trajtimin e një shumëllojshmërie sëmundjesh sipas mjekësisë perndimore. Për më tepër polifenolet në çajin jeshil janë ingredientë bioaktivë me veti antioksidante dhe janë të dobishme në trajtimin e disa sëmundjeve kronike.
Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një rishikim sistematik, të publikuar në Journal of Herbal of Medicine, autorët kanë analizuar sistematikisht të gjithë literaturën botërore duke kërkuar artikujt që hetonin efektet e çajit jeshil në shëndetin oral.
Kërkimi është kryer duke përdorur databazat elektronike si: CINAHL, Cochrane Library, Medline, PubMed dhe Scopus. Janë aplikuar kriteret PRISMA dhe kanë kërkuar që t'i përgjigjen kësaj pyetjeje sipas PICO: "Te pacientët me gengivit cili është efekti i përdorimit kronik të një kolutori me bazë çajin jeshil që përmban katekina në akumulimin e pllakës dhe në inflamacionin gengival?".
Rezultatet
Në 187 artikuj të identifikuar nga strategjia e kërkimit, pesë kanë rezultuar të përshtatshëm për meta-analizën. Këto pesë studime kanë përfshirë një popullsi kryesisht aziatike. Ideksi i pllakës (PI) dhe indeksi gengival (GI) janë krahasuar në pikën përfundimtare dhe gjatë gjithë kohës së studimit (nga fillimi i tij deri në fund).
Rezultatet e meta-analizës kanë indikuar se çaji jeshil dhe klorheksidina (CHX) kanë prodhuar vlera të indeksit të pllakës (PI) inferiore në krahasim me grupin e kontrollit) me placebo) ndërkohë që nuk është regjistruar asnjë diferencë e rëndësishme ndëmjet grupit CHX dhe atij me çaj jeshil, qoftë në fund qoftë gjatë periudhës së studimit. Për më tepër, janë vënë re pak evidenca me efekte anësore pas përdorimit për një kohë të gjatë të një kolutori me bazë çajin jeshil.
Konkluzione
Nga të dhënat e nxjerra nga ky rishikim, të cilat duhet të konfirmohen edhe ne studime të tjera te ngjashme, mund të dalim në përfundimin se kolutori me bazë çajin jeshil mund të jetë një alternativë e vlefshme ndaj atij me bazë klorheksidine, mbi të gjitha për një përdorim afatgjatë.
Implikimet klinike
Për shkak të të dhënave shumë heterogjene dhe të riskut të parcialitetit, këto të dhëna duhet të interpretohen me kujdes. Janë të nevojshme studime të mëtejshme klinike të kontrolluara me një periudhë observimi më të gjatë.
Për më shumë informacion:
Gartenmann SJ, Steppacher SL, Weydlich Y, Heumann C, Attin T, Schmidlin PR. The effect of green tea on plaque and gingival inflammation: a systematic review.