Teknika kirurgjike inovative për riparimin e dëmtimeve estetike pas paralizës faciale Bell në njërën anë të fytyrës

Kirurgji orale | 17 Shkurt 2016 |

Teknika kirurgjike inovative për riparimin e dëmtimeve estetike pas paralizës faciale Bell në njërën anë të fytyrës


Midis paralizave të nervit facial më e zakonshmja është ajo që është përcaktuar si paraliza e Bell. Kjo është një paralizë akute, idiopatike dhe zakonisht në njërën anë të fytyrës dhe përgjithësisht kalon spontanisht në rreth dy të tretat e pacientëve brenda 6 muajve të parë nga fillimi i saj. Në një të tretat e pacientëve, shërimi nuk është i plotë dhe karakterizohet nga toni i muskulit simetrik kur është në pushim por dobësi muskulore në njërën anë të fytyrës, sinkinezi motore dhe spazma hemifaciale gjatë lëvizjes me rezultat dëmtime estetike të padëshirueshme dhe në disa raste shumë të dukshme.


Në këto raste fytyrat e pacientëve janë simetrike kur janë në pushim, por kur qeshin janë të dukshme në shkallë të ndryshme shfytyrimi. Për të korrigjuar ose sidoqoftë për të reduktuar këto defekte aktualisht janë propozuar teknika inovative midis të cilave zhvendosja e nervit masseter, ose transplanti i nervit.
Në një artikull të publikuar në  British Journal of Oral and Maxillofacial Surgery në dhjetor 2015 flitet pikërisht për këtë teknikë.


Autorët nga Dhjetori 2008 deri në Nëntor 2013, kanë trajtuar me këtë teknikë të zhvendosjes së njëanshme të nervit masseter fytyrat e 9 pacientëve (2 burra dhe 7 gra) me paralizë faciale të njëanshme të pa shëruar plotësisht. Kanë regjistruar të dhënat rreth seksit, moshës së pacientit në momentin e ndërhyrjes, shkakun e paralizës, kohëzgjatjen e lëvizjes së nervit. Janë vlerësuar devijimi i qosheve të buzës, shpejtësia dhe kënaqja e pacientëve nëpërmjet testit të quajtur KLIMA FACIALE dhe një pyetësori. Testi KLIMA FACIALE paraqitet nga një sistem optik automatik në të cilin një sistem regjistrimi videoje me 3 telekamera me rreze infra të kuqe, kapin të dhënat e fytyrës së individit në lëvizjet e mëposhtme:
Gjatë buzëqeshjes; gjatë rrudhosjes së buzëve, gjatë mbylljes së syve dhe gjatë ngritjes së ballit.


Mënyra e operimit:
Për të kryer këtë teknikë zhvendosjeje të nervit masseter të njëanshëm autorët bëjnë një çarje në faqe nëpërmjet një prerjeje preaurikulare në pjesën e paralizuar, ngrenë dhe hapin pjesën e prerë deri sa dallojnë qartë kufirin e përparmë të gjëndrës parotide dhe trungut zigomatik-facial. Në këtë pikë, ndarjet e trungut priten në mënyrë distale dhe stimulohen.
Nervi pritet zakonisht në kufirin e përparmë të gjëndrës parotide ose pak milimetra afër saj, për të lejuar transportin e nervit masseter direkt dhe pa tensione. Nervi masseter mblidhet pra 4 cm në pjesën e përparme të prerjes, 1 cm nën nervin zigomatik, në thellësi 1,5 cm. Sapo arrihet një gjatësi e përshtatshme, nervi pritet dhe kooptohet me degën marrëse të nervit facial (Shih Foton 1).
Autorët theksojnë se është e rëndësishme të paralajmërohet pacienti se, duke qenë se do të humbasë një degë funksionuese zigomatike ose bukale, do të ketë një përkeqësim kalimtar qoftë si paralizë statike faciale qoftë si paralizë dinamike gjatë periudhës postoperative. Pacientët duhet të sigurohen se do të përmirësohen sapo nervi masseter të mbushë atë degë.

 

 




 
Figura 1: Vështrimi intraoperativ i zhvendosjes së nervit masseter dhe kooptimit në një degë të nervit facial.  A: përpara kooptimit
B: pas kooptimit epineuronal
 

 

 

 

Pas kësaj ndërhyrjeje autorët nuk kanë hasur komplikacione që të kërkonin ndërhyrje të tjera. Testi KLIMA FACIALE ka treguar një përmirësim qoftë të  devijimit të qosheve të buzëve qoftë të shpejtësisë së përçueshmërisë më shumë se dy të tretat në 6 pacientë, më shumë se gjysma në 2 pacientë dhe më pak se gjysma në një pacient. Më pas një vlerësim cilësor ka treguar një përmirësim të lehtë ose të shënuar në 7 pacientë nga 9.


Nën kujdesin e: Lara Figini, Koordinatore Shkencore e Odontoiatria33


Përktheu: Valbona Spahia



Për të votuar duhet të vendosni kredencialet tuaja në Medikey
Nuk është interesantPak interesantInteresantShumë interesantEkstremisht interesant
Interesant ( 139 votim / mesatar 3 )
LOGIN


© LIFE SHPK   |   NIPT L41629010D