Sa të sinqertë janë pacientët me dentistin në lidhje me gjendjen e shëndetit të tyre të përgjithshëm

| 20 Nëntor 2019 |

Sa të sinqertë janë pacientët me dentistin në lidhje me gjendjen e shëndetit të tyre të përgjithshëm

Nga Lara Figini


Thuhet shpesh që kaviteti oral është dritarja e shëndetit të përgjithshëm dhe kushtet sistemike kanë shumë manifestime orale. Por për fat të keq, integrimi i kartelave mjekësore klinike elektronike dhe atyre diagnostikuese është ende në fillim.

Informacionet mjekësore të paplotësuara ose ende më keq, informacionet e gabuara që i jepen profesionistëve nga pacientët mund të reduktojnë cilësinë dhe rezultatet e kurave dhe mund të çojnë në efekte anësore të rrezikshme.

Diabeti dhe hipertensioni janë dy patologjitë sistemike kronike më të rëndësishme dhe të shpeshta që mund të ndërhyjnë gjatë kurave stomatologjike.

Është vënë re, për shembull, që pacientët me diabet të pakontrolluar kanë një tolerancë në nivele të ulëta për ngarkesën bakteriale dhe në këto raste mund të jetë e nevojshme një mbështetje nga antibiotikët përpara dhe pas procedurave kirurgjikale për të kompensuar përgjigjen defiçitare të sistemit imunitar.

Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një studim, të publikuar në JDR Clinical and Translational Research në shtator 2019, autorët kanë kërkuar që të përcaktojnë sesa probleme mund t'i krijojë dentistit një deklaratë e gabuar nga ana e pacientit mbi kushtet e tij të shëndetit të përgjithshëm.

Autorët kanë marrë në konsideratë dhe kanë vlerësuar dy kushte të zakonshme, hipertensionin dhe diabetin e kanë krahasuar të dhënat e shëndetit të përgjithshëm që janë marrë nga pacientët në momentin e vizitës së parë stomatologjike, gjatë grumbullimit të anamnezës mjekësore, me ato që janë të pranishme në kartelat klinike të pacientëve që janë vizituar më parë në klinikën mjekësore të University of Texas dhe që janë kuruar më pas nga University of Texas Health Science Center at Houston School of Dentistry.

Autorët kanë identifikuar 1013 pacientë me kushte të zakonshme të diabetit, hipertensionit ose të të dyjave dhe nëpërmjet analizës së të dhënave krahasuese kanë identifikuar përqindjen e individëve me diagnozë të mëparshme mjekësore të diabetit dhe/ose hipertensionit (të kryer nga mjekët e tyre) por që nuk ja kanë referuar këto informacione stomatologut.

Rezultate
Nga pacientët me diabet, 15,1% kanë gënjyer dentistin për gjendjen e tyre, ashtu si 29% nuk kanë referuar për gjendjen e tyre të hipertensionit.

Nuk janë gjetur lidhje ndërmjet gjinisë dhe deklaratave të gabuara mbi hipertensionin apo diabetin, ndërsa përqindja e gabimeve për hipertensionin duket se zvogëlohet me rritjen e moshës.

Konkluzione
Nga të dhënat e nxjerra nga ky studim, që duhet të konfirmohen me punime të tjera analoge, mund të dalim në konkluzione se një pjesë jo e vogël e pacientëve referon në mënyrë të gabuar ose jo të plotë të dhënat në lidhje me gjendjet mjekësore sistemike gjatë fazës së plotësimit të anamnezës në klinikat stomatologjike.

Implikimet klinike
Një raportim i pasaktë i gjendjeve mjekësore nga ana e pacientëve mund të ketë rezultate negative në nivelin stomatologjik.

Dalim në përfundimin se do të ishte e përshtatshme që të shtohet cilësia e ndihmës shëndetësore duke mbështetur integrimin e stomatologjisë në mënyrë të tillë që të shmangen mospërputhjet ndërmjet të dhënave mjekësore elektronike të pacientëve dhe atyre të shëndetit të përgjithshëm që i referohen dentistit.

Për më shumë informacione: Adibi S, Li M, Salazar N, Seferovic D, Kookal K, Holland JN, Walji M, Farach-Carson MC. Medical and dental electronic health record reporting discrepancies in integrated patient care. JDR Clin Trans Res 2019 Sep 27.

Përktheu: Valbona Spahia



Për të votuar duhet të vendosni kredencialet tuaja në Medikey
Nuk është interesantPak interesantInteresantShumë interesantEkstremisht interesant
Interesant ( 57 votim / mesatar 3 )
LOGIN


© LIFE SHPK   |   NIPT L41629010D