Ankthi dhe frika nga dentisti është një problematikë e zakonshme në stomatologjinë pediatrike që shpesh i çon prindërit që të shmangin ose të shtyjnë trajtimet duke kompromentuar shëndetin e fëmijës. Metodat për të reduktuar ankthin ndahen kryesisht në:
• Farmakologjike
• Jo farmakologjike (alternative)
Për motive të qarta, në stomatologjinë pediatrike gjithmonë kanë pasur një përparësi më të madhe metodat jo farmakologjike që rezultojnë të jenë më të pranueshme nga prindërit dhe nga pacientët e vegjël dhe manifestojnë më pak kundërindikime dhe efekte anësore.
Nevoja konstante për të inkorporuar teknika alternative në praktikën klinike dentare ka çuar në futjen e akupunkturës, një prej degëve të mjekësisë antike kineze. Natyra e dhimbshme e kësaj procedure - dhe komplikimet që lidhen kryesisht me infeksionet e mundshme në njësinë e pozicionimit të ages - kanë bërë që mjekët dhe kërkuesit të shmangin akupunkturën te fëmijët.
Akupresioni përdor të njëjtin princip të akupunkturës pa përdorimin e ageve dhe është veçanërisht i përshtatshëm për të trajtuar fëmijët. Pikat terapeutike mund të stimulohen në mënyrë delikate duke përdorur një varietet të gjerë instrumentesh përfshirë derma-roller ose pika magnetike stimuluese.
Tipologjia e kërkimit dhe mënyra e analizimit
Në një studim të publikuar në Pediatric Dentistry në maj 2018, autorët kanë testuar efektin e akupresionit mbi reduktimin e akthit te fëmijët gjatë trajtimeve stomatologjike. Individët me moshë midis 8 dhe 12 vjeç, që i janë nënshtruar procedurave stomatologjike konservative pranë Departamentit të pedodoncisë dhe stomatologjisë preventive të Kolegjit spitalor të Narayana (Nellore, Adhra pradesh, India), janë caktuar në mënyrë rastësore në një nga grupet e mëposhtme:
• Grupi 1, në të cilin është përdorur akupresioni në dy pika të konsideruara anksiolitike, pika Ying Tang dhe pika aurikolare Shen Men
• Grupi 2, në të cilin është përdorur akupresioni në dy pika jo të dokumentuara për të reduktuar ankthin që janë kufiri lateral i vetullës së majtë dhe pika e llapës së veshit (pika zero)
• Grupi 3, në të cilin nuk është përdorur akupresioni
Ankthi është regjistruar duke përdorur shkallën Modified Child Dental Anxiety (MCDAS). Janë përdorur sfera të akupresionit me strisha adezive në pikat terapeutike të seleksionuara për grupet 1 dhe 2. Ankthi është regjistruar më pas për të gjithë fëmijët para dhe pas plotësimit të trajtimit stomatologjik nëpërmjet MCDAS.
Shkalla e Frankl është përdorur si masë objektive për të vlerësuar sjelljen e të gjithë fëmijëve. Gjithashtu është regjistruar dhe analizuar një parametër fiziologjik (frekuenca e pulsit). Rezultatet e përftuara nga të gjithë pacientët pediatrik të të tre grupeve janë hedhur në një tabelë dhe janë analizuar në mënyrë statistikore.
Rezultate
Në studim është rekrutuar një total prej 225 fëmijësh: 75 në çdo grup, mosha mesatare 10,5 vjeç; 133 djem, 92 vajza. Fëmijët e grupit 1 kanë shfaqur një zvogëlim domethënës nga ana statistikore në rezultatet e MCDAS, ndërsa fëmijët e grupeve 2 dhe 3 kanë shfaqur një rritje.
Një ndryshim domethënës është hasur me shkallën MCDAS, frekuencën kardiake dhe klasifikimin e sjelljes së Frankl, midis tre grupeve të fëmijëve. Grupi 1 që i është nënshtruar akupresionit të synuar ka shfaqur një nivel inferior të ankthit.
Konkluzione
Nga të dhënat e shfaqura nga ky studim, akupresioni mund të konsiderohet një alternativë e vlefshme në krahasim me metodat klasike për të reduktuar ankthin dentar te fëmijët që i janë nënshtruar terapive stomatologjike konservative.
Implikime klinike
Menaxhimi i ankthit mbi të gjitha tek individët pediatrikë, por jo vetëm, është një problematikë shpesh që menaxhohet me vështirësi nga stomatologu me metodat klasike.
Propozimi i akupresionit si alternativë ndaj administrimit klasik të protoksidit të azotit ose të barnave anksiolitikë apo relaksues, teknikë kjo që nga të dhënat e zbuluara në këtë studim mund të konsiderohet e vlefshme në rastet në të cilat duhet të shmanget përdorimi i barnave, si tek individët pediatrikë.
Për më tepër
Avisa P, Kamatham R, Vanjari K, Nuvvula S. Effectiveness of acupressure on dental anxiety in children. Pediatr Dent 2018;40(3):177-83.
Përktheu: Erjola Taga