Periodontiti është një nga sëmundjet orale më të përhapura në të gjithë botën. Pasoja kryesore e periodontitit është lëvizshmëria e shtuar e dhëmbëve e ndjekur nga humbja e tyre. Prandaj, qëllimi i trajtimit periodontal është ai që të shmanget humbja e dhëmbëve në një perspektivë afatgjatë.
Por kur e shmangin trajtimet periodontale me të vërtetë humbjen e dhëmbëve? Studime të ndryshme observuese mbi trajtimin periodontal sjellin norma të ulëta ose të moderuara të ekstraktimit afatgjatë pas kurave periodontale (Nibali 2017; Fardal 2013).
Por ekzistojnë faktorë të ndryshëm risku, për shembull mosha e avancuar, duhanpirja ose mos respektimi i programit të vizitave të kontrollit te dentisti, që paraqesin një influencë përcaktuese negative për prognozën e dhëmbëve të trajtuar në mënyrë periodontale.
Ndërsa një studim tjetër, sjell të dhëna zhgënjyese. Në bazë të të dhënave të siguruara nga ky studim nga Tajvani, që ka monitoruar mbi 150.000 pacientë pas trajtimit periodontal (Chan 2016), është zbuluar se të dhënat e ekstraksioneve të mëvonshme ishin rreth 25 deri në 30% me një periudhë observimi 1,5 vite.
Tipologjia e kërkimit dhe modaliteti i analizës
Në një studim të fundit, të publikuar në Journal of Dentistry në janar 2019, është hetuar përqindja e dhëmbëve të humbur, pra që janë ekstraktuar, pas trajtimit periodontal.
Autorët e këtij studimi kanë grumbulluar të dhëna nga databaza dixhitale e një kompanie të rëndësishme kombëtare të sigurimeve shëndetësore gjermane.
Grupet e pranishme në studim kanë qenë 2:
1. grupi i trajtimit, në të cilin janë kryer trajtime periodontale;
2. grupi i kontrollit, në të cilin nuk janë kryer trajtime periodontale.
Analiza e mbijetesës së Kaplan-Meier është kryer në një hark kohor prej 4 vitesh. Diferencat janë testuar me testin Log-Rank. Incidenca e ekstraktimit është llogaritur për një periudhë observimi prej 6 vitesh përpara dhe 4 vite pas trajtimit për të dyja grupet.
Rezultatet
Autorët kanë gjurmuar një total prej 415.718 trajtimesh periodontale. Duke u bazuar në rezultatet e "ekstraksionit", norma kumulative e mbijetesës për katër vjet ka rezultuar të jetë me 63.8% pas trajtimit periodontal.
Konkluzione
Nga të dhënat e këtij studimi observues del që rezultati i trajtimeve periodontale duhet të konsiderohet i pranueshëm. Në rreth dy të tretat e pacientëve ekstraktimi mund të shmanget plotësisht brenda një periudhe katër vjeçare pas trajtimit.
Implikimet klinike
Edhe pse periodontiti është një sëmundje kronike shumë e përhapur, pacientët që vuajnë nga ai mund të kenë besim te kurat periodontale sepse ato tregojnë një mundësi të konsiderueshme të parandalimit të humbjeve të mëtejshme të dhëmbëve.
Për më tepër:
• Nibali L, Sun C, Akcali A, Meng X, Tu YK, N. Donos N. A retrospective study on periodontal disease progression in private practice. J Clin Periodontol 2017;44:290-7.
• Fardal O, Fardal P, Persson GR.Periodontal and general health in long-term periodontal maintenance patients treated in a Norwegian private practice: A descriptive report from a compliant and partially compliant survivor population. J Periodontol 2013;84:1374-81.
• Chan CL, You HJ, Lian HJ, Huang CH. Patients receiving comprehensive periodontal treatment have better clinical outcomes than patients receiving conventional periodontal treatment. J Formos Med Assoc 2016;115:152-62.
• Raedel M, Priess HW, Bohm S, Noack B, Wagner Y, Walter MH. Tooth loss after periodontal treatment - Mining an insurance database. J Dent 2019 Jan;80:30-5.
Përktheu: Valbona Spahia