Diabetikët dhe rreziku për periodontit

Parodontologji | 30 Tetor 2024 |

Diabetikët dhe rreziku për periodontit


Ata që vuajnë nga diabeti kanë një rrezik më të lartë për t'u prekur nga periodontiti, një sëmundje inflamatore e mishrave të dhëmbëve. Më të rrezikuarit janë pacientët, sëmundja e të cilëve rëndohet nga komplikimet që prekin enët e vogla të gjakut. Në këto përfundime ka arritur një studim i kryer nga studiuesit e Universitetit Aarhus në Danimarkë dhe i publikuar në Journal of Dental Research.

"Periodontiti mund të ulë ndjeshëm cilësinë e jetës së një personi, duke shkaktuar vështirësi në ushqyerje, komunikim dhe ndërveprimet sociale", komenton koordinatori i studimit Fernando Valentim Bitencourt. "Të kuptuarit se cilët pacientë janë më të rrezikuarit është e rëndësishme për ndërhyrjen e hershme dhe parandalimin e këtyre efekteve", vazhdon studiuesi.

Studimi mori në konsideratë afërsisht 16 mijë njerëz me diabet të tipit 2, nëpërmjet të cilëve u zbulua se aty ku ishin të pranishme komplikimet mikrovaskulare, rreziku për periodontit ishte më i lartë. Konkretisht, ata që vuanin edhe nga retinopatia diabetike kishin 21% më shumë gjasa të kishin periodontit të moderuar/të rëndë sesa njerëzit pa komplikime të diabetit. Ndërsa neuropatia diabetike u shoqërua me një rritje prej 36% të rrezikut për periodontit. Kur ishin të pranishme edhe retinopatia edhe neuropatia, probabiliteti për të zhvilluar periodontit u rrit me 51%. Nivelet e larta të kolesterolit dhe triglicerideve e shtojnë edhe më shumë këtë rrezik.

"Kur diabeti nuk kontrollohet, nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të çojnë në inflamacion, i cili me kalimin e kohës mund të prekë sytë duke çuar kështu në retinopati, ose nervat duke shkaktuar neuropati, ose mishrat e dhëmbëve duke kontribuar në zhvillimin e periodontitit të rëndë", përfundon Bitencourti.

 



Për të votuar duhet të vendosni kredencialet tuaja në Medikey
Nuk është interesantPak interesantInteresantShumë interesantEkstremisht interesant
( 0 votim / mesatar )
LOGIN


© LIFE SHPK   |   NIPT L41629010D