Për t'iu përgjigjur pyetjes para së gjithash ekzaminohet figura e gruas në fushën profesionale, stomatologet femra janë më të komunikueshme dhe vendosin një empati më të madhe me pacientin në krahasim me kolegët e tyre meshkuj. Në përgjithësi gratë perceptohen nga pacientët si më pak të nxituara në punë, më të prirura për të dëgjuar problematikat e tyre, më humane dhe më të kujdesshme.
Analizimi i kujdesit të shëndetit oral të gruas fillon që nga adoleshenca deri në moshën e rritur, duke i kushtuar rëndësi të veçantë gjendjeve patologjike të gojës që dallohen më shpesh, ose atyre që kanë karakteristika të veçanta, sidomos te gratë. Gruaja i nënshtrohet ndryshimeve hormonale gjatë gjithë jetës. Puberteti, cikli menstrual, shtatzënia, menopauza dhe marrja e kontraceptivëve nga goja mund të ndikojnë në fakt edhe në gjendjen e shëndetit oral.
Adoleshenca është një periudhë e jetës që karakterizohet nga ndryshime të mëdha morfologjike, funksionale dhe psikike. Gjatë periudhës së pubertetit, zbulohet se ndryshimet e hormoneve seksuale mund të ndikojnë në gjendjen inflamatore të gingivave dhe gingivitet që zgjasin për më shumë se 6 muaj mund të përcaktojnë lezionet periodontale të lokalizuara e disa forma të rënda të periodontitit si periodontiti agresiv janë tipike të kësaj moshe. Edhe një ngrënie e vakteve në mënyrë të çrregullt dhe zakonet e këqija mund të reflektohen te gjendja patologjike e gojës.
Një testim i kujdesshëm dhe i thelluar është përqendruar te problematikat e grave shtatzëna dhe që ushqejnë foshnjat me gji, me vëmendje të veçantë në marrjen e vendimeve operative dhe përdorimit të barnave të cilave ju referohet klasifikimi i Food and Drug Administration (FDA) për nivelin e rrezikut ku barnat ndahen në bazë të rrezikshmërisë për nënën dhe fetusin në pesë kategori. Gjatë nëntë muajve të shtatzënisë gruaja pëson një sërë ndryshimesh dhe përshtatje sistemike që reduktojnë aftësinë e reaksionit ndaj stresit psikofizik. Trajtimi i një gruaje shtatzënë shumë shpesh gjeneron te stomatologu një gjendje ankthi me pasojë një mungesë informacioni të përshtatshëm dhe të faktit që disa profesionistë i konsiderojnë trajtimet stomatologjike në përgjithësi të rrezikshme për fetusin. Megjithatë nuk ka dyshime që trajtimi stomatologjik gjatë shtatzënisë nuk është vetëm i sigurt por edhe i nevojshëm. Vizitat dhe kurat stomatologjike të kryera në mënyrën e duhur (përdorimi i radiografive, heqja e gurëzave, trajtimi i periodontopative, anestezia lokale, receta e barnave sistemike) duhet të bëjnë pjesë në një rrugë që e çon pacienten në konceptimin e një gjendjeje të mirëqenies së plotë dhe të qetësisë.
Përsa i përket grave të moshuara vëmendje e veçantë i kushtohet osteoporozës (OP) dhe pasojave të saj në shëndetin oral. Vihet në dukje rëndësia primare e figurës së stomatologut në diagnozën e hershme të OP-së, duke marrë në konsideratë që ekzaminimi radiografik rutinë për diagnozën dhe kujdesi ndaj sëmundjeve dentare e periodontale mund të tregojë të dhëna të domosdoshme për të vlerësuar statusin e të gjithë skeletit. Kjo për të nënvizuar që parandalimi i OP-së është qasja më racionale dhe moderne për të mundur sëmundjen. Ndër sindromat kronike lichen planus oral, sindroma e Sjogen dhe sindroma e gojës që djeg (BMS) paraqesin tre patologji të ndryshme të cilat duhet të vetë-menaxhohen nga femrat që preken nga ato. Thelbësor është momenti i informimit nga ana e profesionistit që jo vetëm udhëzon pacienten në nivel kliniko-terapeutik por e mbështet edhe në nivel psikologjik.
Nën kujdesin e: Anna Maria Melica, Konsulente Shkencore e Dental Cadmos
Përktheu: Valbona Spahia